Energjia, 18 HEC-e dalin nga marrëveshja me shtetin për të shitur në treg të lirë
Hidrocentralet e vegjël po braktisin çmimin fiks dhe po shesin energjinë si të pavarur në treg.
Të paktën 18 hidrocentrale të vegjël në vend kanë dalë gjatë vitit të kaluar nga marrëveshjet me shtetin për shitjen e energjisë dhe kanë kaluar në tregun e lirë, duke operuar si prodhues të pavarur.
Bëhet fjalë për HEC-e me kapacitet deri në 15 MW, të cilët më parë shisnin energjinë pranë Furnizuesit të Tregut të Lirë me një çmim të garantuar prej 10 lekë për KWh. Megjithatë, për vitin 2025, një pjesë e tyre kanë zgjedhur të dalin në treg të hapur, duke kërkuar çmime më konkurruese.
Kapacitet i kufizuar, por sinjal për tregun
Sipas raportit të Entit Rregullator të Energjisë, këto hidrocentrale kanë një kapacitet të instaluar prej rreth 34.17 MW dhe prodhimi i tyre arrin në 77,415 MWh, që përfaqëson rreth 1% të prodhimit total neto të energjisë në vend për vitin 2025.
Në total, duke përfshirë edhe impiantet e lidhura në rrjetin e transmetimit, numri i centraleve që kanë kaluar në tregun e lirë arrin në 19, me një fuqi të instaluar prej 36.67 MW.
Si funksiononte më parë skema
Prodhuesit me përparësi, që janë kryesisht hidrocentrale të vegjël, kanë pasur marrëdhënie kontraktuale me Furnizuesin e Tregut të Lirë, duke shitur të gjithë energjinë e prodhuar me çmim të fiksuar. Kjo energji përdorej më pas nga operatori i shpërndarjes për të mbuluar humbjet në rrjet dhe për furnizimin e bizneseve në tregun e liberalizuar.
Dalja në tregun e lirë nënkupton që këta prodhues tashmë mund të negociojnë drejtpërdrejt çmimin e shitjes, duke përfituar potencialisht më shumë në kushte të favorshme tregu.
Struktura e prodhimit në vend
Shqipëria ka një numër të madh hidrocentralesh, kryesisht të ndërtuara përmes kontratave koncesionare pas vitit 2007. Pjesa më e madhe e tyre janë me kapacitet të vogël, ndërsa një numër më i kufizuar operon si prodhues të pavarur me kapacitete më të mëdha.
Kapaciteti total i instaluar i prodhimit të energjisë në vend deri në fund të vitit 2025 arrin në rreth 3,475 MW, ku hidroenergjia mbetet burimi dominues. Ndërkohë, impiantet fotovoltaike kanë arritur një kapacitet prej mbi 631 MW, duke përbërë rreth 18% të totalit.